Lladrovci: Beteja lokale në Drenas s’ka lidhje me Memli Krasniqin – Keqpërdorimi nga Kurti është mjerim!

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj mënyrës se si mungesa e liderëve të UÇK-së dhe PDK-së po përdoret në diskursin politik të ditëve të fundit, duke theksuar se historia e Kosovës nuk duhet të shndërrohet në mjet për fërkime mes pozitës dhe opozitës.

“Institucionet e shtetit, vendet aleate dhe miqtë, PDK si konstanta e shtetit, atdhetarët dhe familjet e heronjve tanë të luftës dhe paqes e ndjejnë mungesën e Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhës dhe të tjerëve,” ka thënë Lladrovci.

Ai thekson se mungesa e tyre nuk është as e ndershme, e as njerëzore të bëhet pjesë e narrativës së përditshme politike. Sipas tij, Hashim Thaçi dhe bashkëveprimtarët e tij e krijuan historinë e re të Kosovës, histori që trashëgoi rrugën e Skënderbeut dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Lladrovci ka reaguar edhe ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilin e akuzon se keqpërdori intervistën e tij politike duke nxjerrë pjesë të veçanta me qëllim që të dëmtojë PDK-në.

“Beteja lokale politike në Drenas as nuk e pasqyron as prezanton mosbesimin ndaj liderit të PDK-së, Memli Krasniqit. Keqpërdorimi i kontekstit të mesazheve të mia me qëllim të lëndimit të PDK-së nga ana e Kurtit, është mjerim,” tha ai.

Ai shtoi se beteja për drejtësi në Hagë po vazhdon dhe shprehu bindjen se “heronjtë tanë të luftës dhe paqes do të kthehen të pafajshëm”. Lladrovci vlerësoi se është e turpshme të përdoret kjo betejë për interesa të ngushta politike nga ata që dikur kishin mbështetjen e shumicës, por tashmë e kanë humbur.

Ndërsa ka përmendur edhe lidhjen e tij të gjatë me Sami Lushtakun, Lladrovci theksoi se raportet personale nuk ndikojnë në suksesin e PDK-së, as në Drenas e Skenderaj, e as në nivelin qendror.

“Memli Krasniqi, si kryetar deri më tani ka dëshmuar se është personalitet i kontinuitetit, unitetit dhe fitoreve,” shtoi ai.

Në fund, Lladrovci përmbylli me një mesazh emocional: “Po të mundja, çdo ditë do t’i takoja heronjtë e luftës dhe paqes, sepse do të flisja me historinë.”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë