Prapë pa rrymë: Qindra familje në Llapushnik, Arllat, Negroc, Vuqak e Gjergjicë mbesin pa energji elektrike – revoltohen qytetarët

Banorët e disa fshatrave të komunës së Drenasit sot do të kalojnë një ditë të tërë pa energji elektrike, për shkak të ndërprerjeve të paralajmëruara nga KEDS.
Llapushniku, Arllati, Negroci, Vuqaku, Gjergjica, dhe zona të tjera të kësaj ane do të përballen me mungesë totale të energjisë nga ora 09:00 deri në 17:00.
“Dalja Llapushniku”, e cila përfshin një numër të madh fshatrash, po vazhdon prej vitesh të shkaktojë telashe të mëdha për banorët lokalë. Pothuajse çdo ditë të dytë ka ndërprerje të energjisë, duke shkaktuar revoltë dhe pakënaqësi të thellë te qytetarët.
“Punohet vetëm në një pjesë të linjës, por pa rrymë mbesin mijëra familje. Kjo nuk është normale”, shprehen qytetarët e revoltuar.
Sipas njoftimit nga KEDS, ndërprerja është bërë për arsye investimesh:
Punime në projekte investive
Nga NS 220/10 [kV] Drenasi do të ndërprehet:
Dalja 10[kV] Llapushniku (kodi: 16100028) nga ora 09:00 deri në ora 17:00
Vendet: Llapushniku, Orllat, Negroci, Vuqaku, Xhurgjicë, Shkolla e Llapushnikut dhe Kleqkë e Re.
Arsyeja: Energjetizimi i rrjetit të ri dhe demontimi i rrjetit të vjetër në projektin Orllat – Mahalla e Xhamisë, si dhe vendosja e konzollave, izolatorëve dhe përçuesit në linjën e re.
Banorët kërkojnë nga KEDS dhe institucionet përgjegjëse që të gjendet një zgjidhje afatgjatë, pasi ndërprerjet e vazhdueshme po e vështirësojnë jetesën dhe po dëmtojnë aktivitetet e përditshme.