Shukri Buja zyrtarizohet kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit nga PDK

Shukri Buja ka zyrtarizuar sot kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Lipjanit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, transmeton portali DrenicaOnline.
Zyrtarizimi është bërë në një takim me Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me ç’rast Buja ka marrë përkrahjen e plotë të kryetarit, strukturave të degës në Lipjan dhe të anëtarësisë së gjerë.
Në një deklaratë publike, Buja ka shprehur mirënjohjen për besimin dhe mbështetjen që i është dhënë: “Lipjani ka nevojë për punë të vërtetë, projekte madhore dhe një lidership që nuk fshihet pas fjalëve. Nuk premtoj gjithçka, por atë që premtoj – e mbaj dhe e realizoj,” ka deklaruar ai.
Sipas tij, kandidatura është përgjigje ndaj një nevoje për ndryshim, për një qeverisje më të ndershme, më efikase dhe më pranë qytetarit.
Në fund, Buja ka bërë thirrje për bashkim dhe përkrahje: “Koha për të vepruar është tani. Së bashku, jemi më të fortë!”/DrenicaOnline/