Nisma në Drenas mban mbledhjen e Kryesisë, cakton bartësin e listës për Asamble

Dega e Nismës Socialdemokrate në Drenas ka mbajtur sot një mbledhje të rëndësishme të Kryesisë, ku në fokus ishte përgatitja për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, konkretisht hartimi i listës së kandidatëve për Kuvendin Komunal, transmeton portali DrenicaOnline.
Gjatë këtij takimi, u mor vendim që Liman Krasniqi të jetë bartës i listës për Asamblenë Komunale, një emër i njohur për përvojën e tij në jetën publike dhe për besueshmërinë që gëzon në mesin e strukturave të partisë dhe qytetarëve të komunës.
Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj, i cili shprehu mbështetje të plotë për degën e Drenasit dhe theksoi rëndësinë e organizimit të brendshëm, koordinimit të strukturave dhe përgatitjes për një garë dinjitoze. Limaj theksoi se Nisma synon të ofrojë një alternativë të fuqishme dhe të besueshme për qytetarët e Drenasit.
Nisma Socialdemokrate në Drenas ka nisur me përkushtim procesin e konsolidimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve, duke u angazhuar që lista përfundimtare të jetë përfaqësuese e vlerave, me individë të ndershëm, profesionistë dhe të përkushtuar për të ardhmen e komunës./DrenicaOnline/