Sherri për pronën përfundon me grushte në Poklek të Ri – Dy persona përfundojnë në QKUK, tre të tjerë në ndalim

Përleshjet në të cilat përfshihen qytetarët në vendin tonë janë goxha të shpeshta dhe kjo po konsiderohet edhe si cenim i sigurisë publike. Të tilla incidente ndodhin qoftë nëpër rrugë, kafeteri apo edhe në hapësira të tjera publike, raporton Gazeta Sinjali.

Një përleshje fizike e tillë ka ndodhur mbrëmjen e së martës, në fshatin Poklek i Ri – Komuna e Drenasit, e cila ka rezultuar me dy persona të lënduar rëndë dhe tre të arrestuar.

Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 20:30, policia ka pranuar një informacion për një rrahje mes disa personave në këtë fshat. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, patrulla, hetuesit dhe krim-tekniku, ku kanë konstatuar se përleshja kishte ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësore.

Si pasojë e sulmit, H. S., rreth 64-vjeçar dhe D. S., rreth 29-vjeçar kanë kërkuar trajtim mjekësor fillimisht në QKMF Drenas dhe më pas në QKUK – Prishtinë, për shkak të lëndimeve në kokë dhe në dorë. Të njëjtit janë intervistuar më vonë në cilësinë e të dëmtuarve.

Të dyshuarit, K.F., rreth 46-vjeçar, A.F, rreth 42-vjeçar dhe F. Rr., rreth 44-vjeçar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa është marrë deklaratë edhe nga një dëshmitar.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë