Thirrje publike për garën për kryetarin e PDK-së – drejtuar z.Bedri Hamza

Nga: Labinot Halilaj, nënkryetar i PDK-së, dega Drenas; delegat i Konventës

Zgjedhjet e fundit parlamentare e renditën Partinë Demokratike të Kosovës si forcën e dytë politike në vend. Kjo ndodhi përkundër pritshmërive të larta, sidomos për shkak të kandidimit të një figure të respektuar dhe të besueshme si z. Bedri Hamza.

Sot, degët e partisë në gjithë territorin e vendit po përballen me një gjendje të rënduar organizative. Ato janë të demoralizuara dhe të ngarkuara me probleme të shumta. Fatkeqësisht, paaftësia e qendrës për të ndërhyrë në mënyrë efikase – e madje në disa raste edhe kontributi i saj në thellimin e këtyre problemeve – ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e imazhit të partisë dhe në dobësimin e rezultateve të saj zgjedhore.

Për këtë arsye, konsideroj se konventa e radhës duhet të shërbejë si moment reflektimi dhe rivendosjeje. PDK-së i nevojitet urgjentisht një drejtim i ri dhe i qëndrueshëm. Për këtë, unë besoj se kandidimi i z. Bedri Hamza për kryetar partie është jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm.

Zgjedhja e tij në krye të PDK-së do të sillte konsolidim të brendshëm dhe do të krijonte një reflektim të menjëhershëm edhe në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor. Në të njëjtën kohë, ky konsolidim do të ndikonte edhe në zhvillimet politike të ardhshme në nivel qendror, sidomos nëse vendi shkon në zgjedhje parlamentare të parakohshme, çka mund të ndodhë pas procesit të zgjedhjes së Presidentit.

Për fat të keq, gjatë këtyre viteve në opozitë, PDK-ja nuk ka arritur ta luajë rolin e saj opozitar në mënyrë efektive. Në shumë raste, ka ngjarë më shumë me një zgjatim të pushtetit ekzistues, sesa me një alternativë të vërtetë për qytetarët. Prandaj, i bëj thirrje publike z. Bedri Hamza që të marrë këtë përgjegjësi dhe të hyjë në garë për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës. Besoj fort se kjo është në të mirën e partisë dhe një hap thelbësor për të rikthyer besimin e strukturave dhe të elektoratit, për ta rikthyer PDK-në aty ku e ka vendin: në krye.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë