Një hero në zemër të qytetit, Drenasi nderon Komandant “Luanin”

Në një ceremoni madhështore të mbajtur me rastin e Ditës së Çlirimit të Komunës së Drenasit, është përuruar shtatorja e heroit të kombit, Asllan Fazliu – Komandant Luani. Në prani të shumë qytetarëve, familjarëve të dëshmorit dhe personaliteteve të shumta, Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, mbajti një fjalë rasti emocionuese, duke e quajtur këtë ditë si fillim të një kapitulli të ri për heroin që tashmë është i përjetësuar në bronz, në qendër të Drenasit, transmeton portali DrenicaOnline.

“Qyteti ynë nga sot bëhet edhe më i bukur, sepse po i vije një hero që dëshmoi se liria është më e vlefshme se jeta. Ai e dëshmoi se ne e meritojmë lirinë”, u shpreh Lladrovci, duke kujtuar jetën, veprën dhe sakrificën e Komandant Luanit.

Kryetari Lladrovci vlerësoi lart fshatin Gradicë, vendlindjen e heroit, si një vatër të burrave të mëdhenj që ndër shekuj kishin qëndruar kundër pushtimeve dhe kishin dhënë gjithçka për lirinë.

“Gradica heroike ka lindur trima që nga Tahir, Lec e Mehmet Gradica e deri tek Asllan Fazliu, Milazim e Mehdi Fazliu, dëshmorja Antigone Fazliu dhe shumë të tjerë që mbrojtën dinjitetin tonë kombëtar,” tha ai.

Ai përshkroi rrugëtimin e Asllanit që nga demonstratat e viteve ’80 e deri në radhët e UÇK-së, ku u radhit si një komandant i vendosur dhe trim që nuk u ndal para asnjë rreziku.

“Heronjtë janë si Asllan Fazliu – besnik, i devotshëm, i përmbajtur, trim dhe guximtar. Ai do të dëshmohej në shumë beteja, dhe guximi i tij është amanet për brezat që vijnë,” tha Lladrovci.

Në këtë fjalim u përmend edhe momenti kur Komandant Luani qëndroi përkrah Fehmi e Xhevë Lladrovcit në çastet e fundit të tyre, duke e përshkruar si një akt sublim të trimërisë dhe përkushtimit për atdheun.

Kryetari Lladrovci përmbylli fjalën me një zotim se Drenasi do të vazhdojë të kujtojë me nderim dhe respekt veprën e Komandant Luanit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.

“Shtatorja e Asllan Fazliut është shembull i përjetshëm i qëndresës dhe sakrificës për liri. Ajo do të frymëzojë brezat e rinj dhe do të ruhet me dinjitet përjetësisht. Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”

Lavdi përherë Komandant Luanit!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë