Komuna e Drenasit i jep lamtumirën mësimdhënëses Esma Kastrati: “Kontributi i saj do të mbetet i paharruar”

Komuna e Drenasit ka shprehur ngushëllimet e saj të thella për ndarjen nga jeta të mësimdhënëses së respektuar Esma Kastrati, e cila për dekada kontribuoi me përkushtim në arsimimin e brezave të rinj në këtë komunë.
Përmes një telegrami ngushëllimi, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në emër të institucionit dhe në emrin personal, ka shprehur dhimbjen dhe mirënjohjen për jetën dhe veprën e znj. Kastrati.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të mësimdhënëses së nderuar, znj. Esma Kastrati, e cila për dekada me radhë kontribuoi në edukimin dhe arsimimin e shumë brezave në komunën tonë.
Në emër të Komunës së Drenasit dhe në emrin tim personal, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kastrati, kolegëve të saj në ShFMU ‘Naim Frashëri’ në Gllobar dhe ‘Ali Gashi’ në Qikatovë të Re, si dhe gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe ta kenë pranë mësuesen Esma.
Kontributi i saj si arsimtare, përkushtimi i saj ndaj nxënësve dhe përulësia në raport me kolegët e komunitetin, do të mbesin gjithmonë të paharruara.
Pushoftë në paqe!”
Mësimdhënësja Esma Kastrati do të kujtohet si një figurë e dashur, e respektuar dhe shembull për gjeneratat që i edukoi me dashuri e profesionalizëm.