Komuna e Drenasit reagon pas raportimeve për QKMF: Monitorimi i kamerave bëhet nga persona të autorizuar, gjithçka në përputhje me ligjin

Pas disa raportimeve në media lidhur me kinse monitorim të paautorizuar të kamerave të sigurisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Drenas, Komuna e Drenasit ka dhënë një sqarim zyrtar për opinionin publik.
Në reagimin e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, thuhet se të gjitha veprimet në QKMF janë ndërmarrë në përputhje të plotë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, rregulloret përkatëse, si dhe udhezimet administrative që rregullojnë sistemin e mbikëqyrjes dhe sigurinë në vendin e punës.
“QKMF ka të emëruar zyrtarisht dy persona të autorizuar për menaxhimin dhe kontrollin e sistemit të kamerave, me vendim të dokumentuar, në përputhje me të gjitha normat ligjore dhe administrative në fuqi,” thuhet në njoftim.
Komuna thekson se raportimi mediatik, i cili aludon për një “skandal” dhe përfshirje të një infermieri pa autorizim në monitorimin e kamerave, nuk përputhet me të vërtetën.
“Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është e përkushtuar ndaj transparencës, integritetit dhe llogaridhënies. Në çdo rast të keqinformimit, do të reagojmë në përputhje me përgjegjësitë tona publike,” thuhet në reagim.
Ndërkohë, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka dhënë udhëzime teknike lidhur me funksionimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë për sistemin e kamerave, ndërsa Drejtoria konfirmon se këto udhëzime janë respektuar plotësisht dhe se sistemi është funksional dhe i menaxhuar në mënyrë të ligjshme.
Për më tepër, Komuna nënvizon se kamerat janë vendosur për sigurinë në ambientet e punës dhe për respektimin e orarit të punës nga të gjithë të punësuarit, pa përjashtim dhe pa asnjë qëllim tjetër.