LDK në Drenas nis prezantimin e kandidatëve për Asamblenë Komunale – Emri i parë, Gazmend Heta

Kryetari i Degës së LDK-së në Drenas, Egzon Qorri, ka bërë të ditur se sot fillon prezantimi i listës së kandidatëve për Asamblenë Komunale në kuadër të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Emri i parë që zyrtarisht i bashkohet kësaj liste është Gazmend Heta, një figurë e respektuar në arsim dhe sport, me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në shërbim të komunitetit.

“Kemi nderin të prezantojmë një figurë të respektuar të arsimit dhe sportit, një profesionist me përvojë dhe përkushtim të dëshmuar – Gazmend Heta, Doktor i Shkencave,” ka deklaruar Qorri.

Z. Heta ka qenë për 10 vite drejtor i shkollës fillore “Halil Bajraktari”, ku ka udhëhequr me vizion dhe përkushtim për përmirësimin e cilësisë në arsim. Aktualisht, ai është profesor në shkollën e mesme “Fehmi Lladrovci”, ku vazhdon të japë kontribut në edukimin e gjeneratave të reja.

Përveç karrierës në arsim, ai ka qenë aktiv edhe në fushën e sportit, duke qëndruar pranë të rinjve dhe duke mbështetur aktivitetet që zhvillojnë trupin dhe shpirtin garues.

“Një emër që bashkon përvojën, dijen dhe përkushtimin për të ardhmen e Drenasit,” u tha në prezantim.

LDK në Drenas pritet të publikojë edhe emra të tjerë në ditët në vijim, në kuadër të një fushate që synon rifreskimin dhe fuqizimin e përfaqësimit në Kuvendin Komunal.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë