“Baba shkojke me tren në Pejë me na blerë rroba” – Sejdi Hoxha rrëfen emocionet e festës së Kurban Bajramit (Video)

Zyrtari i PDK-së nga Damaneku i Drenasit, Sejdi Hoxha, së bashku me bashkëshorten e tij, kanë qenë të ftuar në një emision në ATV, ku kanë ndarë me publikun kujtimet dhe emocionet që lidhen me festën e Kurban Bajramit, si festohej dikur dhe si festohet sot, transmeton portali DrenicaOnline.
Gjatë bisedës së ngrohtë, Sejdi Hoxha rrëfeu për kohët e hershme, duke përshkruar mënyrën e veçantë se si pritej kjo festë në familjet shqiptare. Ai kujtoi me mall udhëtimin e babait të tij drejt Pejës për të blerë veshmbathje për fëmijët:
“Baba shkojke me tren në Pejë, na blejke patika e pantolla, krejt fëmija u gëzojshi”, u shpreh Hoxha, duke rikthyer atmosferën e dikurshme që e bënte festën e Kurban Bajramit kaq të veçantë.
Sipas tij, dikur kjo festë kishte më shumë “lezet”, pasi përgatitjet, bashkimi familjar dhe dhuratat ishin të mbushura me përkushtim, modesti dhe dashuri të thellë. Edhe bashkëshortja e tij ndau përjetime të ngjashme, duke theksuar se ndonëse koha ka ndryshuar, thelbi i festës mbetet i njëjtë – bashkimi, solidariteti dhe kujdesi për më të afërmit.