Vdes Vesel Istogu nga Polluzha, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare

Izet Abdyli, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Drenas, ka shprehur dhimbjen dhe pikëllimin e thellë pas ndarjes nga jeta të veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Vesel Istogu nga fshati Polluzhë.
“Në dhimbje të madhe morëm lajmin për ikjen nga kjo botë të mikut tonë të mirë, Vesel Istogu. Ai ishte një njeri fisnik, i dashur dhe i sinqertë, që rrezatonte mirësi, respekt dhe dashuri për familjen, farefisin dhe miqtë e shumtë. Iku i heshtur, ashtu siç ishte në jetë, por pas vetes la gjurmë të pashlyeshme dhe vepra që do t’i kujtojmë përherë,” u shpreh Abdyli.
Vesel Istogu ishte ndër veprimtarët e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitet e 90-ta, si kryetar nëndege në fshatin Polluzhë. Ai kontribuoi gjithashtu në Shoqatën humanitare “Nëna Terezë”, në Këshillin e Pajtimit, Këshillin Financiar dhe së fundmi në Këshillin e Emergjencës.
Për aktivitetin e tij patriotik dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, Ustogu ishte përballur me burgosje dhe përndjekje nga pushteti serb, por ai qëndroi gjithmonë stoik dhe i vendosur në mbrojtje të interesave të popullit të tij.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të,” përfundon mesazhin Izet Abdyli.
Drenica humbi një bir të denjë dhe Kosova një veprimtar të çmuar. Ngushëllime familjes Ustogu, miqve dhe gjithë atyre që e njohën e bashkëpunuan me të.