Taktika e Albin Kurtit për të ‘zbutur’ ndarjen e Vetëvendosjes!

Edhe pse iu përgjysmua partia të cilën e udhëheq, duke ikur nga Lëvizja Vetëvendosje hiq më pak se 13 deputetë dhe 2 kryetarë komunash, Albin Kurti nuk e ka thënë as edhe një fjalë.

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, në ditën kur edhe ndodhi formalisht formimi i Grupit të ri parlamentar, nga 12 deputetët e larguar nga VV, gjeti një taktikë interesante të injoroj këtë fakt, raporton Gazeta Blic.

Ai pos që nuk e dha asnjë deklaratë për këtë ndarje edhe formale të partisë së tij, ai në profilin e tij në Facebook i “kushtoi shkrime” disa prej figurave të rilindësve shqiptar.

Derisa të mërkurën, ditën kur edhe ndodhi thyerja e madhe në VV, shkroi për Sami Frashërin dhe Fan Nolin, sot përmes një shënimi, foli për  Faik Konicën, duke e cilësuar si një prej mendjeve më të ndritura shqiptare, në 143 vjetorin e lindjes së tij.

E, derisa Albin Kurti merret me “përkujtimin” e rilindësve shqiptar, grupi i larguar nga VV, tashmë i njohur publikisht si Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP), ka nisur edhe nismën e parë serioze- kërkesën për interpelancë ndaj kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj.

Shefi i këtij grupi, Dardan Sejdiu është ai i cili formalisht do ta drejtoj këtë grup, i cili do të jetë i katërti më i madh në legjislaturën aktuale.

Ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje, filloi para disa muajsh, kur doli në publik një bisedë në Viber e grupit parlamentar të VV-së.

Ishte një shprehje e deputetes Aida Dërguti, ai “muti” duke iu referuar Albin Kurtit, që shpërfaqi pakënaqësitë e shumta në këtë parti politike.

Aktualisht nga VV janë larguar 13 deputet, 12 prej tyre tashmë kanë formuar grupin parlamentar, derisa deputetja Donika Kadaj Bujupi është rikthyer në AAK.

Ky është postimi i Albin Kurtit i bërë sot:

143 vjet më parë lindi një prej mendjeve më të mprehta shqiptare, Faik Konica, rilindasi, diplomati, botuesi, kritiku, polemisti, i cili la gjurmë të forta në kulturën e në historinë moderne të shqiptarëve.

Fatkeqësisht sot, në kohën e popullarizimit të citimeve të dekontekstualizuara në rrjete sociale, Konica shpesh paraqitet si një cinik i pashërueshëm, shpesh madje si një snob kozmopolit, apo si një elitist antipopullor, i lodhur prej projektit kombëtar shqiptar.

Por nuk ishte ashtu. Aktiviteti i tij i gjatë, i palodhshëm, vetësakrifikues, tregon ndryshe. Kështu ai shkruante në gazetën e tij “Albania” në 1897 se: “Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare”. Më pas vazhdonte po aty: “Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse në ndonjë rast moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin”.

Ai ka qenë kritik i madh i injorancës në politikë, dhe shkruante se: “shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori dhe kapadaillëk”. A nuk jemi përballur edhe ne me kapadainj të tillë, ende sot? Megjithatë ai nuk e përbuzte kulturën e popullit të vet, por e adhuronte atë, e shkruante: “Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin”, apo “Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe e brishtë”.

Ai, i cili sot mbahet si idhull i atyre që nuk e durojnë më vendin e kombin e vet shkruante: “Ah malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur…”. Dhe shkruante për flamurin: “Flamuri përmbledh gjithë kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja”.

Megjithatë, Konica nuk ishte romantik: “Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë”, shpallte ai nga gazeta “Albania”. Dhe, këmbëngulte se: “Një popull që s’duron padrejtësi, që s’u jep besim sharlatanëve, që ngul këmbë për pastërti në hesapet dhe për prova zotësie në zyrtarët, ai popull qeveriset mirë, qoftë me mbret qoftë me president”.

Servilët gazetarë, që lëvdonin pushtetarët e shanin kritikët, Konica i quante “laro të pendës” dhe për ta thoshte se “Ka ca qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur”. Pushtetarëve që përpiqeshin të justifikonin brutalitetin policor ai u thoshte “Xhelat je se të pëlqen të jesh”. E për tradhtarët thoshte se “Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit”.

E qeveritarët e këqij i paralajmëronte për domosdoshmërinë e një lëvizjeje popullore: “Një lëvizje popullore dihet ku dhe kur nis, por nuk dihet ku dhe kur do të mbarojë. Në të gjitha këto, mbetet një shpresë e një ngushëllim: shpresa që populli, po nguli këmbë, më në fund do t’i fitojë të gjitha; ngushëllimi që kriminelët e guvernës sodomiste, shpejt a vonë do ta marrin shpërblimin që meritojnë”.

Sot e kujtojmë Konicën me nder e respekt të madh, të cilin sigurisht më shumë ia bëjmë duke e lexuar e duke mësuar prej tij.

Ndërkaq, ky është postimi i Albin Kurtit i bërë të martën:

Figura e dytë madhore në traditën e atdhetarisë social-demokrate shqiptare, pas Sami Frashërit që ishte themeluesi, është Fan Stilian Noli, i cili ka vdekur 53 vjet më parë, në ShBA.

Njeri i kulturës, i shkencës, i artit, i politikës e i fesë, Noli ishte një polimath i vërtetë, edhe këtu në vijim të traditës së rilindasit erudit, Samiut.

Prej fillimit të shekullit XX e deri sa vdiq Noli ia kushtoi jetën synimit të tij madhor, kapërcimit të feudalizmit në politikën shqiptare, dhe avancimit drejt një Republike Demokratike të bazuar mbi punën e mirëqenien, sipas modelit të demokracive republikane të themeluara në Evropë pas rrëzimit të feudalizmit në shek. XIX.

Në ShBA, i gjendur përballë mohimit të Kishës Ortodokse Greke për të varrosur një patriot ortodoks shqiptar, ai themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare në ShBA, dhe vazhdoi aktivizmin deri sa ia bëri një dhuratë madhështore historisë së shqiptarëve, pra deri sa u themelua Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Si klerik ai u shqua nga vlerat e bashkëpunimit dhe miqësisë mes feve – e dy nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë ishin Bajram Curri me prejardhje myslimane e Luigj Gurakuqi me prejardhje katolike.

Përveç kontributit të tij të palodhur kombëtar e fetar, Fan S. Noli do të mbahet mend si studiues i figurave historike, letrare e artistike, Skënderbeut, Platonit, Anaksagorës, Beethoven-it, Schubert-it, Toscanini-t, Strauss-it, Shakespeare-it, Tolstoj-it, etj. Vetë poet e shkrimtar i shkëlqyer, Noli krijoi traditën e përkthimit në shqip, me shqipërimin e Shakespeare-it, Cervantes-it, Ibsen-it, Khayam-it, Goethe-s, Heine-s, Eskilit, Verlaine-s, Baudelaire-it, Poe-së, etj.

Rrugëtimin e vet ai e përshkroi tek poezia politike “Marathonomaku”, nga e cila shkëpusim vargjet frymëzuese për betejën e popullit kundër pushtetit abuziv, betejën për drejtësi, mirëqenie e demokraci:

“Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin!”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë