U nda nga jeta infermieri i devotshëm, Hysni Neziri – Lladrovci: Do të kujtohet përjetë për humanizmin e tij

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur pikëllimin e tij të thellë për ndarjen nga jeta të infermierit të përkushtuar, Hysni Neziri.

Në emër të Komunës së Drenasit dhe në emrin e tij personal, kryetari Lladrovci ka dërguar ngushëllimet më të sinqerta për familjen Neziri, kolegët dhe të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të ndjerin.

“Hysni Neziri do të kujtohet gjithmonë si një infermier i përkushtuar dhe njeri i urtë, i cili me shumë dashuri dhe përgjegjësi i shërbeu banorëve të Dobroshecit dhe më gjerë,” ka thënë kryetari Lladrovci. “Në QMF-në e këtij fshati ai ishte shembull i humanizmit dhe profesionalizmit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e bashkëfshatarëve dhe kolegëve të tij.”

Hysni Neziri ishte një punëtor i devotshëm i shëndetësisë, me një karrierë të ndërtuar me përkushtim fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dobroshec dhe më pas në QKMF në Drenas. Me profesionalizmin dhe humanizmin e tij, ai fitoi respektin e pacientëve dhe të gjithë komunitetit.

“Humbja e tij lë një zbrazëti të madhe në komunitetin tonë, por kujtimi për jetën dhe veprën e tij do të mbetet i gjallë dhe i nderuar,” ka përfunduar mesazhin e tij kryetari Lladrovci.

Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Komuna e Drenasit
Ramiz Lladrovci, Kryetar

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë