Dështon edhe përpjekja e 18-të për konstituimin e Kuvendit

Saga e dështimeve të seancave për konstituimin e Kuvendit të Kosovës vazhdoi edhe të hënën. Kësaj radhe u tentua për herën e 18-të të bëhet konstituimi.

Komisioni për të organizuar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dështoi të marrë votat e mjaftueshme nga deputetët, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Me 52 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, komisioni nuk kaloi. Të pranishëm në seancë ishin 106 deputetë.

Paraprakisht, kryesuesi i seancës konstituive- deputeti më i vjetër, Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e partive politike për një konsultim.

Andaj, Dehari njoftoi se seanca e radhës mbahet më 21 maj në orën 11:00.

Ndryshe, seanca e 15 prillit dhe ajo e 17 prillit, u ndërprenë pasi dështoi të votohej Komisionin për verifikimin e kuorumit dhe mandateve. Por, më 19 prill u votua ky Komision, derisa u betuan edhe deputetët e legjislaturës së nëntë dhe hapën rrugën për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Por, më 19 prill, kandidatja e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në dy votime, dështoi t’i fitojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.

Kurse, më 21 prill, Lëvizja Vetëvendosje bëri të ditur se propozon sërish deputeten Haxhiu për kryeparlamentare. Por, theksoi se iu nevojitet kohë shtesë në mënyrë që të mos përsëritet situata e seancës së kaluar. Në këto rrethana, edhe kjo seancë u ndërpre.

As në seancën e 25 prillit, në atë të 27 prillit dhe as më 29 prill, Haxhiu nuk i mori votat e mjaftueshme për kryetare të Kuvendit.

Në seancën e 1 majit 2025, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi që të bëhet votimi në mënyrë të fshehtë për pozitën e kryeparlamentarit, por ky propopzim nuk u përkrah nga partitë e tjera dhe seanca dështoi.

Pas kësaj, edhe tentimi i 10-të për konstituimin e Kuvendit më 3 maj, dhe të radhës më 5 maj, 7 maj, 9 maj, 11 maj, 13 maj, 15 maj dhe 17 maj, dështuan pasi nuk u përkrah propozimi për formimin e komisionit për të organizuar votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Më 5 maj, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i kishte dërguar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes së cilës e kishte ftuar për një koalicion. Ndërsa, një ditë më pas- më 6 maj, Abdixhiku bëri të ditur i është përgjigjur Kurtit, ku e ka njoftuar se ka propozuar formimin e një qeverie tranzitore mes partive parlamentare deri në emërimin e presidentit në prillin e vitit 2026.

Në anën tjetër, presidentja e vendit Vjosa Osmani pritet që sot të nisë konsultimet me krerët e partive politike për konstituimin e Kuvendit. Presidenca ka bërë të ditur se të gjitha partitë kanë pranuar ftesën për takim konsultativ.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë