Driton Ajazi me mesazh prekës për humbjen e Drilon Muletës: “Na dhemb shpirti për ty, Petrit”

Kryetari i Demokratëve për Drenasin (DD), Driton Ajazi, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë pas lajmit për ndarjen nga jeta të Drilon (Petrit) Muletës, i cili ndërroi jetë pas një sulmi në zemër, transmeton portali DrenicaOnline.

Në një mesazh emocional drejtuar mikut të tij, Petrit Muletës, babait të të ndjerit, Ajazi shkruan se asnjë fjalë në këtë botë nuk mund të përshkruajë peshën e kësaj dhimbjeje.

“Shumë i dashur shoku im Petrit, nuk di si ta shkruaj këtë mesazh, sepse asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë peshën e dhimbjes që keni ju, bashkë me ne, për vdekjen e djalit tuaj Drilonit. Lajmi na ka shokuar të gjithëve. Na dhemb shpirti për ty dhe për mbarë familjen tuaj”, ka thënë Ajazi.

Ai ka theksuar se humbja e një fëmije është padrejtësia më e madhe që mund t’i ndodhë një njeriu dhe se asgjë nuk mund të zëvendësojë buzëqeshjen, zërin apo përqafimin e tij.

“Por dua ta dish diçka, shoku im: nuk je vetëm në këtë dhimbje të madhe. Jemi me ty. Djali yt do të jetojë përherë në kujtimet tona, në lutjet tona. Zoti e pastë në mëshirën e Tij të pafund”, përfundon mesazhin Ajazi, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Muleta.

Drilon Muleta do të varroset më 12 maj 2025 në varrezat e fshatit Korroticë e Epërme të Drenasit./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë