Ushtarët e FSK-së do të regjistrohen kur hyjnë dhe kur dalin nga puna, gati të vendosen aparatet

Kazerma “Adem Jashari” planifikon të evidentojë pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-së në punë, duke instaluar aparate për vijueshmëri.
Autoriteti Kontraktues bëri të ditur se vlera kontratës ishte parashikuar të arrinte në 10 mijë euro, por që do të shqyrtonte tenderin e përgjegjshëm me çmimin më të ulët.
Kontrata iu dha dje kompanisë “Infinit SHPK”, që çmimin ofertues më të ulët e pati 5768 euro, teksa pritet të nënshkruhet sot, shkruan IndeksOnline.
Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë ofertues kapi vlerën prej 7966 eurosh.
“AK i MM-së, ka për qëllim që të lidhe një kontratë me një OE, që do të ketë kapacitet të kryej: Furnizim me aparate të vijueshmërisë në punë për nevojat e FSK-së. Realizimi i projektit në fjalë do të ndikojë në masë të madhe në menaxhimin dhe përmirësimin e kushteve të mbajtjes se evidencave për vijueshmëri në punë të personelit të FSK-së” thuhet në njoftimin e dhënies së kontratës.
Kompania e kontraktuar ka kohë 60 ditë të përfundojë realizimin e obligimeve të kontratës, duke ofruar garanci të paktën 2-vjeçare për produktet, të cilat duhet të ofrohen të paketuara, me manuale përdorimi dhe lehtësisht të integrueshme në sistemet e kazermës së FSK-së.