26 vite nga rënia e Heroinit Dinë B. Grabovci – Kujtimi për të jeton i gjallë në zemrat tona

Sot bëhen plot 26 vite nga rënia në altarin e lirisë e Heroit të Kosovës, Dinë B. Grabovci, i cili dha jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Me këtë rast, Valon Grabovci ka kujtuar me mall e krenari figurën e babait të tij, duke theksuar sakrificën dhe veprën madhështore që ai la pas, shkruan DrenicaOnline.
“Koha kalon, por çdo ditë e më shumë ju kujtojmë me krenari për veprat tuaja dhe përkushtimin sublim për lirinë e Kosovës”, shkruan ai, duke përshkruar jetën e Heroinit Dinë Grabovci si të rritur në kushte të vështira, por të mbushura me frymë patriotike dhe përkushtim ndaj atdheut.
Dinë Grabovci ishte i përfshirë në çdo organizim për liri, i ndjekur dhe përndjekur vazhdimisht nga regjimi serb, por asnjëherë i ndalur në rrugën e tij drejt çlirimit të vendit. “Lirinë e deshe më shumë se jetën, Baba Dinë”, shkruan Valoni, duke përmendur me respekt edhe takimet me bashkëluftëtarë që ende e kujtojnë për bujarinë dhe trimërinë gjatë luftës në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Homazhet për Heroin mbahen më 08 maj 2025, në ora 12:00, te Lapidari në Saradran.
Lavdi Heronjve të Kosovës! Lavdi Dëshmorëve të Kombit!