Grabitje si në filma në Fushë Kosovë – Të armatosur e të maskuar i presin para hotelit dhe ua marrin çantat e telefonin

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në Fushë Kosovë, ku dy të rinj janë bërë viktima të një grabitjeje të armatosur, vetëm pak hapa larg hyrjes së hotelit ku po qëndronin.

Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hysen Xhakolli”, afër hotelit “Emeraj Apartment”.

Viktimat, një i ri me shtetësi kazakistanezo-gjermane, D.I., rreth 19-vjeçar dhe një vajzë shqiptare, D.B. rreth 20-vjeçare, po hynin në ambientet e hotelit ku qëndronin, kur dy persona të maskuar dhe të veshur me rroba të zeza, nën kërcënimin e një pistolete, ua morën çantat dhe telefonin personal të njërit prej tyre.

Pasi kryen grabitjen, të dyshuarit janë larguar me shpejtësi dhe janë zhdukur në errësirën e rrugës.

Me të marrë vesh rastin, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët, ndërkohë me urdhër të Prokurorit kujdestar rasti po trajtohet si “Grabitje”.

Ndërsa, hetimet janë në zhvillim të plotë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë