Sot prova e radhës: A i ka siguruar votat VV-ja për Albulena Haxhiun?

Sot në Kuvendin e Kosovës do të tentohet sërish konstituimi i Kuvendit.

Pas gjashtë dështimeve për të siguruar 61 vota për Albulena Haxhiun, mbetet të shihet nëse për herën e shtatë, sot, ka ndonjë ndryshim.

E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiut, herën e gjashtë i mori 56 vota, nga të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur. Kundër votuan 41 deputetë, ndërsa tre abstenuan.

Në prag të seancës së sotme, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në një takim konsultativ dy partitë më të mëdha: Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

PDK-ja, përmes kryetarit Memli Krasniqi, pranoi ftesën dhe konfirmoi pjesëmarrjen në takim të planifikuar për sot në orën 08:30, një orë e gjysmë para nisjes së seancës konstituive. Krasniqi theksoi nevojën urgjente për zhbllokimin institucional dhe propozoi gjetjen e një kandidati për kryetar Kuvendi që do të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve. Megjithatë, ai theksoi se pozita e nënkryetarit nuk është objekt diskutimi.

Në anën tjetër, LDK-ja refuzoi pjesëmarrjen në takim. Kryetari Lumir Abdixhiku ndodhet jashtë vendit, por zyrtarë të lartë të partisë, si Besian Mustafa dhe Hykmete Bajrami, e konfirmuan qëndrimin refuzues.

Seanca e sotme, pritet të mbahet në ora 10:00.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë