Hetuesit e Drenasit me aksion të suksesshëm/ Dy të arrestuar për shtatë vjedhje të rënda (Foto)

Policia e Kosovës, përkatësisht hetuesit e Stacionit Policor në Drenas, kanë arritur një sukses të rëndësishëm në luftën kundër krimit, duke arrestuar dy persona të dyshuar për një sërë vjedhjesh të rënda që kanë ndodhur në këtë komunë.
Falë angazhimit të palodhshëm dhe profesionalizmit të lartë të hetuesve vendorë, është zhvilluar një operacion i suksesshëm që ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarve, për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se janë të përfshirë në së paku shtatë raste të vjedhjeve të rënda dhe vjedhjeve të tjera në zonën e Drenasit.
Të dyshuarit janë: E.J., 18-vjeç dhe E.F., 17-vjeç ku ndaj tyre, me vendim të prokurorit të shtetit, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Po ashtu, është intervistuar edhe një i dyshuar i tretë, V.S., i mitur, i cili është arrestuar për një vepër tjetër penale në rajonin e Mitrovicës.
Hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të tyre janë në vijim, ndërsa autoritetet policore janë të përkushtuara që të çojnë para drejtësisë çdo individ të përfshirë në këto vepra penale.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka theksuar se po vazhdon me intensifikimin e masave operative dhe hetimore, me fokus të veçantë në goditjen e grupeve kriminale, veçanërisht në rastet që cenojnë pronën dhe sigurinë e qytetarëve.
Ky rast është dëshmi e qartë e përkushtimit të hetuesve të Drenasit, të cilët meritojnë vlerësim dhe respekt për profesionalizmin e treguar në shërbim të qytetarëve.