Reagon Policia për aksionin në Kaçanik: Operacioni lidhet me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

Policia e Kosovës ka reaguar zyrtarisht pas aksionit të zhvilluar herët në mëngjes në qytetin e Kaçanikut, duke konfirmuar se bastisja është e ndërlidhur me rastin e rëndë të vrasjes së rreshterit të Policisë, Muhamed Lika.

“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante, pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka deklaruar zëdhënësi Baki Kelani.

Njësia Speciale, së bashku me hetues të krimeve të rënda, ka bastisur një barnatore në këtë qytet, nën dyshimet për veprimtari të paligjshme që mund të jenë të lidhura me hetimet për vrasjen që tronditi opinionin publik.

Burime të IndeksOnline bëjnë të ditur se aksioni është pjesë e përpjekjeve për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur motivet që qëndrojnë pas këtij akti të rëndë kriminal. Deri më tani, asnjë person nuk është arrestuar, edhe pse hetimet kanë qenë intensive që nga dita e ngjarjes tragjike.

Prokuroria kishte bërë të ditur më herët se nga kamerat e sigurisë është parë që dy persona të rinj kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të rreshterit Lika, duke e lënë të vdekur. Motivet e vrasjes vazhdojnë të mbesin të paqarta, ndërsa autoritetet janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë