Përkujtohet dëshmori Jahir Lladrovci në 26-vjetorin e rënies së tij

Sot, në varrezat e dëshmorëve në fshatin Gllanasellë, u mbajtën homazhe në nderim të dëshmorit Jahir Lladrovci, me rastin e 26-vjetorit të rënies së tij.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, së bashku me bashkëpunëtorë të komunës, familjarë dhe miq, të cilët vendosën buqeta me lule të freskëta pranë memorialit të dëshmorit, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen për jetën dhe veprën e tij.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, nënkryetari Shala tha:
“Sot përkulemi me nderim pranë varrit të një figure të shquar të rezistencës, mësuesit Jahir Lladrovci. Ai nuk ishte vetëm një mësues i dijes, por edhe një mësues i lirisë. Flijimi i tij është dëshmi e sakrificës sublime për një të ardhme më të drejtë dhe më të lirë për vendin tonë.”
Jahir Lladrovci mbetet një simbol i dijes, qëndresës dhe dashurisë për atdheun, ndërsa kujtimi për të do të jetojë përherë në zemrat e brezave që vijnë.
Lavdi gjithë dëshmorëve dhe martirëve të rënë për lirinë e vendit!