Takimi me deputetin Adem Hodza, Lekaj tregon a janë bërë votat për Demarkacionin

Kuvendi i Kosovës me shumë gjasa do të mblidhet të premten për ta votuar Demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Por, ende nuk është e qartë se a janë bërë votat. Për t’i siguruar ato janë duke u angazhuar thuajse të gjithë akterët e pozitës.

Gjatë ditës së sotme, edhe ministri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka takuar deputetin e Listës Serbe, Adem Hodza, më të cilin, siç ka mësuar Gazeta Express, edhe është biseduar mundësia e votimit të Demarkacionit.

Për këtë takim, Express ka pyetur edhe ministrin Lekaj, por ai nuk ka pranuar të japë shumë detaje për këtë takim.

Lekaj, nënkryetar i AAK’së, ka thënë se nuk mund të thuhet se është bërë ndonjë marrëveshje që deputeti Hodza ta votojë Demarkacionin.

“Unë kam pasur një takim më deputetin Hodza në mëngjes, por nuk kemi biseduar për ndonjë marrëveshje”, ka thënë ai.

Por, Lekaj është shprehur i bindur se nëse seanca mbahet të premten, atëherë, sipas tij, nënkupton se janë bërë votat.

“Nëse thirret seanca, janë votat”, ka thënë Lekaj për Express.

Kurse, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, në një intervistë në Rubikon të KTV’së, ka bërë mtë ditur se qeveria tashmë është e bindur që kjo çështje do të mbyllet para të shtunës.

Hoxhaj bëri thirrje që kjo marrëveshje të votohet të premten.

“Ne jemi të vendosur që të mbyllet kjo temë para fundjavës, para të shtunës. Kemi pasur takime të gjata këto ditë me partnerë të ndryshëm duke përfshirë edhe deputetët serb”, ka thënë Hoxhaj.

E gjatë ditës së sotme Alencës për Ardhmërinë e Kosovës i është kthyer deputetja Donika Kada-Bujupi, që deri më tash ishte në Lëvizjen Vetëvendosje.

Me kalimin e saj në AAK, koalicioni qeverisës tash ka siguruar 79 vota për Demarkacionin, dhe për ta kaluar atë i duhet vetëm edhe një votë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë