Kurti: Opozita votoi kundër betimit të deputetëve – sulm institucional ndaj Republikës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas votimit në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e partive opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve, transmeton DrenicaOnline.
Në një postim, Kurti tha se ky ishte një votim krejt formal dhe teknik, që bazohej në dokumentacionin e KQZ-së, por opozita u rebelua kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë.
“Sot, deputetët e opozitës votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike,” u shpreh Kurti.
Sipas tij, kjo është një situatë e paparë jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. “Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot,” përfundoi ai./DrenicaOnline/