Pakënaqësi mes pakicave joshqiptare për përfshirjen e Duda Baljes në ekzekutiv – rrezikohet mbështetja për Qeverinë Kurti

Një grup deputetësh nga pakicat joshqiptare kanë shprehur pakënaqësi të hapur pas lajmeve se Duda Balje pritet të ketë një post në ekzekutivin e ardhshëm, transmeton DrenicaOnline.
Deputeti boshnjak Rasim Demiri, në një deklaratë për Indeksonline, ka bërë të ditur se kjo çështje ka shkaktuar tensione brenda përfaqësuesve të komuniteteve, dhe si rrjedhojë ata do ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre lidhur me mbështetjen për formimin e Qeverisë së re të Albin Kurtit.
“Ju (mediat) e keni Duda Baljen. Ajo po vendos për gjithçka. Ende nuk kemi përfunduar diskutimet me kryeministrin. Sa i përket kryetarit të Kuvendit, besoj se do të votojmë pro, por për çështjet e tjera do të kërkojmë takim me kryeministrin. Nëse arrihet një marrëveshje, do ta mbështesim edhe qeverinë, përndryshe jo,” ka deklaruar Demiri.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se deputetja Emilia Redzepi nuk do të mbështesë kandidatin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo është shprehur e indinjuar nga marrëveshja që Albin Kurti thuhet se ka arritur me Duda Baljen, përmes së cilës asaj i është premtuar posti i ministres.
Në një përgjigje për Indeksonline, Redzepi nuk e mohoi mundësinë e një vendimi të tillë, duke lënë të kuptohet se situata do të qartësohet shumë shpejt: “Ka diçka në këtë. Nesër (sot) e shihni më mirë,” është shprehur ajo./DrenicaOnline/