Ferronikeli ndalon prodhimin deri në fund të vitit – Menaxhmenti: Vendim i vështirë, por i domosdoshëm

Pas një periudhe prej 17 muajsh të pezullimit të prodhimit, menaxhmeti i ndërmarrjes “Newco Ferronikeli”, ka vendosur ndalimin e plotë të aktivitetit prodhues deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Lajmin e ka konfirmuar, Shpend Gudaqi udhëheqës i Zyrës për Ndërlidhje me Komunitetin në Ferronikel.

Sipas tij, menaxhmeti është detyruar të marrë vendimin e vështirë për të fikur plotësisht furrën elektrike nga gjendja e ngrohtë, si dhe për të reduktuar orarin e punës për një numër punëtorësh, duke filluar nga data 16 prill 2025.

“Përballë një krize të zgjatur, pa shenja të përmirësimit të shpejtë, menaxhmenti i NewCo Ferronikeli Complex L.L.C është detyruar të marrë vendimin e vështirë për të fikur plotësisht furrën elektrike nga gjendja e ngrohtë, si dhe për të reduktuar orarin e punës për një numër punëtorësh, duke filluar nga data 16 prill 2025”, ka thënë Gudaqi.

Tutje ai tha se kjo masë është e diktuar nga faktorë të rëndë ekonomikë: çmimet e larta dhe të paqëndrueshme të energjisë elektrike në tregun e hapur, si dhe çmimet e ulëta dhe të paqëndrueshme të nikelit në bursat ndërkombëtare.

“Këta faktorë kanë krijuar vështirësi serioze për kompaninë tonë gjatë 17 muajve të fundit, duke e bërë të pamundur prodhimin dhe shitjen e rezervave të depozituara për një periudhë të gjatë kohore”, u shpreh ai duke shtuar se pavarësisht sfidave të mëdha, asnjë punëtor nuk ka humbur vendin e punës.

“Megjithatë, racionalizimi i shpenzimeve është bërë i domosdoshëm, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar të kompanisë dhe mbrojtjen e së ardhmes së saj. NewCo Ferronikeli Complex L.L.C po ndjek me vëmendje zhvillimet në tregjet e metaleve dhe të energjisë elektrike, me synimin që t’i kthehet prodhimit sapo të krijohen kushtet për operim të qëndrueshëm dhe pa humbje”, ka thënë ndër të tjera Gudaqi për Telegrafin.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë