Lutfi Tahiri nga Drenasi hap ordinancën e parë shqiptare të psikiatrisë dhe psikoterapisë në Cyrih

Një tjetër histori suksesi nga mërgata shqiptare po shkruhet në zemër të Zvicrës. Mjeku nga Drenasi Lutfi Tahiri ka hapur “Praxis Tahiri”, ordinancën e parë shqiptare në fushën e psikiatrisë dhe psikoterapisë në qytetin e Cyrihut, një arritje historike për mjekësinë dhe komunitetin shqiptar në këtë vend, transneton portali DrenicaOnline.
Vizita në ordinancën e tij ka qenë një përjetim emocional dhe motivues për të gjithë ata që e njohin nga afër rrugëtimin e tij.
“Praxis Tahiri” nuk është thjesht një hapësirë pune, por një dëshmi e gjallë se puna me zemër, përkushtimi dhe profesionalizmi mund të thyejnë çdo kufi dhe paragjykim.
Në një kohë kur shëndeti mendor po zë gjithnjë e më shumë vend në diskursin shoqëror, kjo nismë e dr. Tahirit përfaqëson një hap të guximshëm drejt shërbimeve cilësore dhe të qasshme për të gjithë, veçanërisht për shqiptarët që jetojnë në Zvicër.
“Ëndrrat nuk funksionojnë, nëse nuk punon ti”, thotë John C. Maxwell – një moto që duket se dr. Tahiri e ka ndjekur hap pas hapi në rrugëtimin e tij profesional.
Për më shumë: www.praxis-tahiri.ch