Doktori nga Drenasi emërohet shef klinike në landin e Thuringenit në Gjermani

Doktori nga Drenasi, Ali Hajdari, nga muaji prill i këtij viti është emëruar shef i Klinikës së Kardiologjisë dhe Angiologjisë në Spitalin Krankenhaus Waltershausen-Friedrichroda, në landin e Thüringenit.
Këtë storje suksesi e ka prezantuar ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
“Ju prezantoj dr. Ali Hajdarin, me prejardhje nga Drenasi, i cili nga muaji prill i këtij viti është emëruar shef i Klinikës së Kardiologjisë dhe Angiologjisë në Spitalin Krankenhaus Waltershausen-Friedrichroda, në landin e Thüringenit. Ai bëhet kështu drejtuesi i parë shqiptar i një klinike të këtij lloji në këtë land.
Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Prishtinës, dr. Hajdari ka ndjekur një rrugë të suksesshme profesionale, duke fituar ekspertizë dhe përvojë në disa nga klinikat më të njohura universitare të Gjermanisë, si ato në Mannheim, Jena, St. Georg Klinikum Eisenach dhe Elisabeth-Klinikum Schmalkalden. Dr. Hajdari është specialist i Mjekësisë Interne dhe subspecialist i Kardiologjisë, të përfunduar në Qendrën Klinike Universitare të Jenës dhe subspecializant i Angiologjisë (sëmundjeve të enëve të gjakut). Fushëveprimtaria profesionale e dr. Hajdarit është shumë e gjerë e koncentruar tek intervenimet në zemër, implantimin e device-ve speciale të zemrës e po ashtu edhe mjekimin e sëmundjeve të arterieve periferike me procedura endovaskulare. Ai vazhdon të punojë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shëndetësore të Gjermanisë dhe të Kosovës”, shkruan Ajeti në njoftim.