Ramiz Lladrovci: Pres që familja Jashari ta ngushëllojë familjen Thaçi gjatë tri ditëve të pames

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, për “Front Online” ka folur lidhur me mungesën e familjes Jashari në ceremoninë e varrimit të Haxhi Thaçit, babait të ish-Presidentit Hashim Thaçi.

Lladrovci, i cili mori pjesë në varrim, tha se megjithëse kishte angazhime jashtë vendit, i anuloi ato për të qenë prezent në këtë ceremoni.

“Sot, është mbajtur ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit dhe me dhimbje, mora pjesë në këtë ceremoni, megjithëse kisha agjendë jashtë vendit, të gjitha i anulova për të qenë aty”, u shpreh ai.

Ai theksoi se agjenda mund të kishte qenë një pengesë për mospjesëmarrjen e familjes Jashari, ndërsa shtoi se pjesëtarët e kësaj familjeje mund të vizitojnë për ngushëllime gjatë tri ditëve të para pas varrimit.

“Sot, është mbajtur ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit dhe me dhimbje, mora pjesë në këtë ceremoni, megjithëse kisha agjendë jashtë vendit, të gjitha i anulova për të qenë aty. Agjenda ka mundur të jetë pengesë për mospjesëmarrje në varrim, ndërsa sa i takon reagimit, mendoj se pjesëtarët e familjes Jashari i japin përparësi traditës. Gjatë tri ditëve sa zgjat e pamja, pres të shkojnë për ngushëllime edhe anëtarë të familjes Jashari”, deklaroi Lladrovci.

Ai përfundoi duke thënë se nuk dëshiron të besojë se ka diçka të qëllimshme në mospjesëmarrjen e familjes Jashari në këtë ngjarje të rëndë.

“Ashtu siç pres të shkojnë për ngushëllime edhe tre krerët më të lartë të shtetit, megjithëse nuk kanë qenë në ceremoninë e varrimit. Në këto ditë të rënda për familjen Thaçi dhe të gjithë neve që e njohim e nderojmë familjen dhe ish Presidentin Thaçi, nuk dua ta besoj se ka diçka të qëllimshme për të mos qenë bashkë në dhimbje”, përfundoi Lladrovci.

Për “Front Online” është deklaruar më herët edhe Bekim Jashari, ish-kryetar i Skenderajt dhe familjar i familjes Jashari.

Jashari nuk ka dhënë sqarime apo arsye rreth aludimeve, duke thënë se do të dëgjohet më vonë.

‘’Jam mysafir, nuk mund të flas. Dëgjohemi më vonë’’, tha shkurt Jashari për “Front Online”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë