Gjenden eshtrat e Sheremet Smajlit nga Drenica, i zhdukur që nga 1999

Familja Smajli nga Kuqica e Skenderajt ka njoftuar se pas më shumë se 25 vitesh pritjeje, janë gjetur eshtrat e Sheremet Smajlit, i cili ishte i zhdukur që nga viti 1999 në Kralan.

Lajmi është pritur me dhembje të madhe nga familja, por njëkohësisht është parë si një lehtësim, pasi më në fund kanë një përgjigje për fatin e tij. Në njoftimin e familjes theksohet se nëna e ndjerë e Sheremetit nuk u ndal kurrë së kërkuari për të, por fati deshi që ajo të mos jetë e pranishme për ta dëgjuar këtë lajm.

Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë moment për familjen është fakti se vetëm një pjesë e vogël e trupit të tij është gjetur, duke lënë ende shumë pikëpyetje dhe dhimbje në zemrat e tyre.

Varrimi i Sheremet Smajlit, së bashku me eshtrat e gjashtë personave të tjerë të gjetur, do të bëhet më 4 prill 2025.

Në mesazhin e tyre, familjarët kanë dhënë një thirrje prekëse: “Të gjithë ju që i keni prindërit pranë, duajini dhe respektojini ata. Prindi ka një vlerë të jashtëzakonshme, dhe ne shpesh e kuptojmë këtë vetëm kur është tepër vonë. Babai im sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar timen, dhe për këtë do t’i jem mirënjohës përgjithmonë.”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë