Kolumbianet që ofrojnë shërbime seksuale cak i vjedhjes nga disa të rinj në Prishtinë, njëri la termin e tjerët hajna

Dukuria e njohur si ‘Escorta’ zhvillohet goxha shumë në Kosovë dhe Policia në vazhdimësi ka trajtuar raste që lidhen me dyshimin për përfshirje në veprimtarinë e prostitucionit. Personat që zbulohen se kanë gisht në të tilla raste janë kryesisht shtetase të huaja, të cilët veprojnë më së shumti në kryeqytet, raporton Gazeta Sinjali.

Së fundmi, dy vajza nga Kolumbia, të cilat qëndrojnë në Prishtinë për të ofruar shërbime seksuale, kanë qenë cak i vjedhjes.

Marrëveshja e tyre për të kryer marrëdhënie seksuale u kushtoi dy vajzave kolumbiane, të cilat përfunduan si viktima në Polici.

Siç merr vesh Sinjali, bëhet fjalë për katër persona të moshave 18, 19, 20 dhe 21-vjeçar, të cilët me kërkesën e dy vajzave shkuan në banesën e tyre.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njëri prej tyre kishte lënë termin për shërbime seksuale me to në këmbim të parave, ndërsa shokët e tij shkuan bashkë me të.

Por, ndonëse ‘puna’ dhe pagesa u kryen, të rinjtë prishtinas që po e prisnin shokun e tyre, nuk dolën duarthatë.

Sipas të njëjtave burime, ata kanë kryer vjedhje në banesën e kolumbianeve, ku kanë marrë qindra euro para të gatshme, stoli të ndryshme dhe parfume – e më pas janë larguar.

Megjithatë, denoncimi i rastit vuri në lëvizje Policinë dhe u ndërmorën veprimet e nevojshme.

Grupi i dyshuar për vjedhje u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë