Si nisi organizimi i grupeve të para të UÇK-së me në krye Adem Jasharin?

Në përfundim të shekullit të 20-të shtypja e dhuna ndaj shqiptarëve të Kosovës po rritej.
Këtë nuk po e duronte populli. Si rrjedhojë grupe në përbërje prej dhjetëra shqiptarëve të Kosovës po shkonin në Shqipëri për stërvitje ushtarake, që të ishin të gatshme për t’ia kthyer tytat armikut serb.
Adem Jashari, burrë nga Drenica ishte në krye të grupit të dytë prej 34 vetave që do të stërviteshin për një muaj në Malin e Dajtit në Tiranë. Ata po pasonin grupin e parë që ishte stërvitur nga tetori vitit 1991.
Kështu midis vjeshtës e dimrit të 91-ës nisi ngjizja e organizimit i cili më pas do të quhej, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Për shkak të aktivitetit të të bijve, shtëpia e Shaban Jasharit nga atëherë ishte vendosur në llupë.
Pikërisht atyre ditëve mbi këtë familje kishte ndodhur sulmi i parë i forcave serbe. Situata po tensionohej secilën ditë. Sulmet mbi patrullat e policisë e ushtrisë serbe në Drenicë ishin shpeshtuar. Prapa tyre po qëndronte grupi i drejtuar nga Adem Jashari.