Shoferi i ‘Radio Taxi Asi’ i plagosur në Dardani dyshohet për plagosjen e shoferit tjetër në Emshir

Pa kaluar dy javë nga rasti i plagosjes së një shoferi të kompanisë ‘Taxi Asi’, një shofer tjetër u qëllua me armë zjarri. Incidenti që ndodhi të dielën mbrëma, në lagjen Emshir të Prishtinës po hetohet si tentim vrasje dhe dy persona dyshohen se janë përfshirë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se viktima në këtë rast është B.Brajshori, rreth 27-vjeçar, i cili u plagos derisa ishte duke i dërguar dy të dyshuarit në një destinacion.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një pistë që po hetohet është edhe ndërlidhja e këtij incidenti me rastin që ndodhi më 21 shkurt, ku u plagos një shofer tjetër i kësaj kompanie.
Bazuar në informacionet e para, Sinjali merr vesh ekskluzivisht se viktima në rastin e parë, G.Ibrahimi, dyshohet se është njëri nga të dyshuarit për rastin e tentim vrasjes së Brajshorit.
Dy të dyshuarit fillimisht kanë pasur një konflikt verbal me shoferin, për shkak të lokacionit që kërkuan t’i dërgonte e më pas njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe e ka gjuajtur.
Viktima u dërgua në QKUK për trajtim mjekësor e më pas dha deklaratën e tij lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti po hetohet, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.