Përparim Gruda siguron mbi 28 mijë vota, falënderon qytetarët për mbështetjen

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka siguruar mbi 28 mijë vota në zgjedhjet e fundit, pas përfundimit të numërimit të votave brenda Kosovës, transmeton DrenicaOnline.
Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, Gruda ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen dhe besimin e dhënë nga votuesit. Ai e ka cilësuar këtë rezultat si një nder dhe përgjegjësi të madhe.
“I siguroj të gjithë ata që kam takuar anembanë Kosovës, gjatë kësaj fushate të mrekullueshme të PDK-së, se do të shërbej me përgjegjësi dhe profesionalizëm në Kuvendin e Kosovës,” ka deklaruar ai.
Gruda ka theksuar se do të angazhohet çdo ditë për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin dhe interesin e qytetarëve të Kosovës, duke shtuar se rruga për ta bërë Kosovën më të mirë do të vazhdojë me përkushtim edhe më të madh brenda Kuvendit.
PDK, si një nga partitë kryesore në vend, ka shënuar një garë të fortë në këto zgjedhje, ndërsa mbështetja për kandidatët e saj tregon për ndikimin e vazhdueshëm të partisë në skenën politike të Kosovës.