Intervistë me Ramiz Lladrovci: Limaj ka interesin personal, jo nacional – i shkoi Kurtit ende pa e ftuar, mjaftohet me një ministri

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka shprehur gatishmërinë të ulet me këdo që e thërret në tavolinë, por vetëm për interes nacional, përfshirë Albin Kurtin. Rrjedhimisht, ai nuk përjashtoi mundësinë e një koalicioni Nisma-LVV.
Se mund të ndodhte një bashkëpunim i tillë e kishte paralajmëruar Kryetari i Drenasit nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci.
Sot në intervistë për Insajderi, ai rikonfirmoi deklaratën e tij duke thënë se Limaj nuk po e bën këtë për interes nacional por interesa partiake, ego personale.
Sipas tij kreu i Nismës do të mjaftohet me një ministri që potencialisht mund t’ia ndajë Kurti.
“Besoj se z. Limaj, do të mjaftohet edhe me një ministri, sepse u përgjigj për koalicion ende pa e marrë ftesën publike nga Kurti dhe pa u certifikuar rezultatet e zgjedhjeve”, tha ai mes tjerash.
Ai është pyetur edhe për zërat se Limajt në të kaluarën nuk i ishte dhënë hapësirë brenda Partisë Demokratike.
Intervista e plotë:
Insajderi: Zoti Lladrovci, ditë më parë keni parashikuar se Limaj mund të bashkohet me Albin Kurtin. Në një deklaratë të tijën mbrëmë, zoti Limaj nuk u shpreh kundër bashkëpunimit me Kurtin. Si e komentoni ju këtë zhvillim?
Ramiz Lladrovci: Nuk ishte parashikim po përfundim logjik nga rrjedhat e politikës tonë në nivel nacional. Kur kam deklaruar se Limaj mund t’i bashkohet Kurtit, kam shtuar se do të dëshiroja të demantohesha, sepse e kisha parasysh interesin e Kosovës e jo interesat partiake dhe egot e akterëve.
Insajderi: Janë ngritur zëra që, për shkak të faktit se Limaj më parë nuk kishte marrë hapësirë në Partinë Demokratike të Kosovës, po e bën këtë si formë “hakmarrjeje”, duke u bashkuar me Kurtin. Si e shihni këtë mundësi?
Ramiz Lladrovci: Profilizimi dhe ngritja meteorike e Limajt brenda PDK-së, është e njohur, madje edhe afria e madhe e tij me liderin e luftës dhe paqes, Hashim Thaçin, janë të veçanta. Nuk mendoj se këtu ka hakmarrje, sepse, inatet e hakmarrjet janë bërë para 10 e më shumë viteve, tash i shoh zhvillimet vetëm nga aspekti i interesave individuale dhe rikthimin në skenë të Limajt, si faktor që për hir të shtetit, po e bën edhe një “sakrificë”.
Insajderi: Cila do të ishte thirrja juaj për z. Limaj, nëse keni ndonjë?
Ramiz Lladrovci: Nuk kam asgjë personale me të e as me ndonjë subjekt tjetër politik, Limaj e drejton subjektin e tij politik me votat që mori nga qytetarët, mendoj se të gjitha mundësitë janë në tavolinë. Mendoj se interesi nacional duhet të jetë para atij partiak. Propozimin e bën mandatari që i bën 61 vota, këto vota lehtësisht mund t’i bëj edhe opozita e tashme, nëse i kanë si fjalët si punët, prandaj edhe me opozitën z. Limaj, mund të gjej hapësirën e duhur.
Insajderi: Si rrjedhojë, me çfarë mund të “kënaqet” Limaj, në kuptimin e marrjes së një posti të caktuar, si ministër, për shembull?
Ramiz Lladrovci: Së pari shpreh keqardhje për lehtësinë e marrjes së vendimit të Aleancës për të besuar në ato që thuhen. Besoj se z. Limaj, do të mjaftohet edhe me një ministri, sepse u përgjigj për koalicion ende pa e marrë ftesën publike nga Kurti dhe pa u certifikuar rezultatet e zgjedhjeve. Kjo shpejtësi e reagimit të Limajt për koalicion flet shumë për pazarin vet sakrifikues për interesa “nacionale”.