Besim Mulaj: Ambasadori i Kosovës në Kroaci i kapur në manipulim me votat e diasporës
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besim Mulaj, ka akuzuar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për përfshirje në manipulimin e votave të diasporës. Sipas tij, ky veprim është tregues i panikut nga humbja që e pret Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në ikje, Albin Kurti.
Mulaj ka theksuar se kur vota nuk mund të fitohet me mbështetje të sinqertë, atëherë provohet të sigurohet përmes skemave të dyshimta. Ai ka rikujtuar se Berishaj është përfolur më parë për përfshirje në afera energjetike dhe transaksione të dyshimta financiare, ndërsa tani del në skenë me një tjetër skandal.
“Kjo nuk është vetëm një shkelje ligjore, por edhe një fyerje për qytetarët e diasporës, të cilët kontribuojnë për Kosovën dhe e marrin me seriozitet të drejtën e tyre demokratike,” ka deklaruar Mulaj.
Ai ka shtuar se paniku brenda pushtetit është i dukshëm, pasi këto zgjedhje nuk janë më një garë për fitore, por një betejë për mbijetesë politike për ata që menduan se do të sundonin përjetësisht.
Në fund, Mulaj ka ftuar qytetarët të votojnë për Lidhjen Demokratike të Kosovës me numër 124 dhe për të me numër 79, duke theksuar se është koha për ndryshim të vërtetë.