35 vjet nga demonstratat antijugosllave në Drenas – kujtohen dëshmorët e lirisë
Drenasi përkujton sot 35-vjetorin e demonstratës së fuqishme antijugosllave, ku qytetarët me guxim sfiduan njësitë speciale të Federatës Jugosllave. Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një deklarate ka rikujtuar këtë ditë historike, duke theksuar se ishte një moment kthese për lirinë e Kosovës.
Në këtë përballje heroike, Drenasi u shqua për rezistencën e tij të pathyeshme, duke i treguar botës vendosmërinë për liri. Gjatë demonstratës, ranë dëshmorë Enver Morina, Shani Morina dhe Sahit Shala, ndërsa dhjetëra qytetarë u plagosën nga dhuna e forcave jugosllave.
“Ajo ditë ishte përplot vullnet, guxim dhe krenari për të gjithë qytetarët. Ishte dita kur Drenasi i tha lirisë: Ne jemi këtu, gjallë dhe të gatshëm për çlirim”, theksoi Lladrovci.
Sot, në nderim të rënieve të atyre që dhanë jetën për liri, në Drenas u mbajtën homazhe pranë varrezave të dëshmorëve. Kujtimi për Enver Morinën, Sahit Shalën dhe Shani Morinën mbetet i paharruar, ndërsa sakrifica e tyre është gurthemel i pavarësisë së Kosovës.
Lavdi dëshmorëve të kombit!