Detaje të reja rreth njohjes së patentë-shoferëve kosovarë në vendet e BE-së

Ditë më parë ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dha lajmin e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, se kanë lëshuar dizajnin e ri të patentë-shoferëve të Republikës me qëllim që t’i plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare, me këtë rast t’iu njihet i njëjti për transit edhe në vendet e Evropës.
Ky njoftim ka bërë që kohëve të fundit te shumë qytetarë të ngjallë interesime tejet të shumta.
Lidhur me këtë, “Indeksonline” ka kontaktuar Shefin e Kabinetit të Ministrisë së Infrastrukturës, Armend Zenaj, për të mësuar disa të reja për këtë çështje.
Zenaj ka theksuar se për t’u njohur patentë-shoferi transit në Evropë duhet të arrihet marrëveshja bilaterale mes shteteve veç e veç si dhe të bëhet anëtarësimi në Organizata të Shteteve të Bashkuara.
Sipas tij, kjo do të mundësonte monitorimin e dokumenteve, qoftë të lëvizjes si dhe ato të patentë shoferit.
“Atëherë mundësia e mirë është marrëveshja bilaterale me shtetet veç e veç edhe forma e rregullimit është njëjtë ashtu siç ka thënë Ministri i MPB-së për lëvizje transit që me u njoftë patent shoferi i Republikës së Kosovës d.m.th me i zhvillu procedurat që edhe shtetasit që jetojnë nëpër vende të Evropës dhe kanë patentë shofer të Kosovës me përdorë të njëjtin”, është shprehur Zenaj.
Më tej, ai ka treguar se a kanë nevojë kosovarët që jetojnë në Evropë të paguajnë ndonjë taks për njohjen e këtij dokumenti identifikues.
“Jo, nuk ka nevojë që të paguhet ndonjë taksë tek ne që t’iu njihet. Me të njëjtin patentë shoferë të shtetit që jeton qytetari i Kosovës, por rregulla është e njëjtë sikur njohja e Universitetit dhe shkollës së mesme prandaj duhet edhe tek patentë shoferi. Theksojmë se nëse shteti ku jeton qytetari i Kosovës e parasheh për qytetarët rezident që janë në vendet tjera duhet të ketë rregull ligjore, e për këtë duhet me u marrë MPB-ja dhe MPJ-ja e vendit tonë. Përndryshe, Ministria e Infrastrukturës nuk ka ligj tani që për me u njoftë në vendet tjera”, ka thënë ai.
Sa i përket çështjes se a duhet të mbahet një provim shtesë në vendin ku personi jeton.
Zenaj ka sqaruar edhe këtë situatë.
“Varet krejt se qysh rregullohet me anën ligjore në atë shtet. Kosova si Ministri e Infrastrukturës e kemi diskutuar me ministrin e vendit dhe shefave të ndryshëm të vendeve në Evropë në shumë takime kemi shqyrtuar këtë mundësi për me njoftë patentë shoferin e Kosovës për shkak se njëfarë forme substanciale do të ishim paksa të diskriminuar”, thotë ai.
Në fund, zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës ka theksuar se kjo çështje i takon dy dikastereve qeveritare. Sipas tij, MI-ja organizon vetëm trajnimin e licencës së patentës.
“Kjo kryesisht i takon MPB-së dhe MPJ-së, këto dy institucione duke u bazu në punë më të rëndësishme, sespe Ministria e Infrastrukturës e organizon vetëm licencimin, pra trajnimin e licencimit të vozitësve. Ne vazhdimisht kemi potencuar se Kosova duhet t’i plotësojë kushtet sikur të gjitha shtetet tjera”, ka përfunduar Zenaj.
Kujtojmë se i pari i MPB-së, Sefaj ka paralajmëruar se në afat sa më të shkurtër do të arrihet marrëveshje reciproke për njohje apo ndërrim të patentave të shoferit me shtetet e BE-së.