Krasniqi: Kurti mashtrues, i bën 50 vjet por askush ‘të lumtë dora’ s’i ka thënë

Ish-deputeti Florin Krasniqi ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe partinë e tij Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për mungesë vizioni dhe përpjekje për të gjetur armiq në vend që të ndërtojnë shtetin.

Krasniqi ka theksuar se Kurti është një propagandist dhe mashtrues, i cili, sipas tij, vetëm premton pa mbajtur fjalën.

“Albin Kurti i bën 50 vjet, por askush nuk i ka thënë: të lumtë dora, vetëm goja tu rrejt. Ai nuk di çfarë është puna, nuk ka bërë kurrë argat, unë e njoh mirë. Unë kam punuar argat e di si merren paret e argatit. Prej se e mbaj mend, ai vetëm propagandë, unë i kam thënë mos bëj propagandë  se ka këmbët e shkurtra, mos premto se çka nuk mundesh ta bësh, se del rren, ai e nënçmon këtë popull, po mirë ia bën se e meriton”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.

Ish-deputeti ka thënë se LVV-ja ka ndjekur një logjikë të gjetjes së armiqve, qoftë gjatë opozitës, qoftë tash në pushtet.

“Gjithmonë kanë kërkuar armikun. Nuk bëhet shteti duke sulmuar të gjitha institucionet dhe gjithçka që nuk mundesh me kontrollu”, ka shtuar ai.

Krasniqi tutje ka akuzuar LVV-në për mungesë ideje, koncepti dhe vullneti për ta ndërtuar shtetin, duke theksuar se kushdo që e voton këtë parti duhet të përballet me të vërtetën.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë