Selim Pacolli dhe William Walker përkujtojnë viktimat e Masakrës së Reçakut: “Kujtesa na obligon të ndërtojmë një të ardhme më të mirë”
Në 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut, kandidati për deputet nga Koalicioni për Familjen, Selim Pacolli, së bashku me ambasadorin William Walker dhe zyrtarë të tjerë të këtij koalicioni, bënë homazhe në vendin e ngjarjes, duke shprehur respekt të thellë për viktimat e 15 janarit 1999.
Gjatë vizitës, Pacolli theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe përkushtimin për një të ardhme më të drejtë dhe të sigurt për brezat e ardhshëm.
“Vizita në Reçak ishte një kujtesë e rëndësishme e detyrës që kemi përpara. Kjo na detyron të punojmë për një Kosovë ku të tilla krime të tmerrshme të mos përsëriten kurrë. Kujtesa është mësuese e jona më e mirë, dhe detyra jonë është ta mbajmë gjallë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, u shpreh Pacolli.
Ndërsa ambasadori William Walker, i cili ishte dëshmitar i tmerrit që ndodhi në atë ditë të ftohtë janari, rikujtoi se Masakra e Reçakut mbetet një simbol i sakrificës dhe një thirrje për drejtësi. Ai theksoi se e vërteta për atë që ndodhi në Reçak nuk mund të mohohet dhe se bota nuk duhet të harrojë këtë krim të rëndë kundër njerëzimit.
Homazhet në Reçak për Masakrën e 15 janarit 1999 vazhdojnë të jenë një moment reflektimi për gjithë Kosovën, duke kujtuar sakrificën dhe dhimbjen e popullit shqiptar, por edhe për të forcuar angazhimin për paqe dhe drejtësi.