100 Euro për lehona në Drenas: Komuna hap aplikimet për subvencione
Komuna e Drenasit ka hapur aplikimet për subvencionimin e lehonave me nga 100 euro për çdo lindje pas datës 1 Janar 2025. Vendimi është marrë nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sipas aktit Nr. 02-400/01-9934 të datës 29 Shkurt 2024.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha nënat lehona që dëshirojnë të përfitojnë nga ky subvencion duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:
Kërkesën/Aplikacionin (merret në sportelin nr. 10)
Fotokopje të dokumenteve të identifikimit të dy prindërve – duhet të jenë banorë të Komunës së Drenasit
Ekstraktin e të posalindurit
Fletëlëshimin nga institucioni shëndetësor ose kartelën e të posalindurit
Certifikatën e Bashkësisë Familjare
Konfirmimin e xhirollogarisë bankare
Dokumente të tjera sipas nevojës
Në njoftim theksohet se dokumentet e kërkuara nuk duhet të jenë më të vjetra se 6 muaj nga data e lëshimit.
Për më shumë informata, qytetarët mund t’i drejtohen Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Drenasit.
Ky subvencion synon të mbështesë familjet e reja dhe të përmirësojë mirëqenien sociale në komunë.