Ferat Shala: Vetëm me lidership të fortë mund ta kthejmë Kosovën në rrugën e zhvillimit
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili po garon për një tjetër mandat, ka zhvilluar një takim elektoral në Komoran, ku është bashkuar me kandidatët për deputetë dhe anëtarët e strukturave qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në këtë tubim, ai ka shprehur mbështetjen dhe unitetin e PDK-së për kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza, duke theksuar rëndësinë e lidershipit të fortë dhe përkushtimit për të nxjerrë Kosovën nga stagnimi.
“Para mbështetësve të PDK-së, mesazhi im ishte i qartë dhe i drejtpërdrejt – vetëm me përkushtim dhe lidership të fortë mund t’i japim fund stagnimit dhe ta kthejmë Kosovën në rrugën e zhvillimit”, ka deklaruar Shala.
Ai ka theksuar se Kosova meriton më shumë dhe se PDK mbetet alternativa më e besueshme për zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.
Fushata e PDK-së po vazhdon me takime të shumta në të gjithë Kosovën, duke synuar mbështetjen e gjerë të qytetarëve për zgjedhjet e 9 shkurtit.