Nuk do të ndërtohet në Drenas/ Lumir Abdixhiku prezanton projektin e stadiumit të ri kombëtar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherazi edhe kandidati për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar projektin e stadiumit të ri kombëtar.
Ai tha se stadiumi do të ndërtohet në Bërnicë dhe do të ketë kapacitet prej 25 deri 30 mijë ulëse. Pra sipas kreut të LDK-së, stadiumi nuk do të ndërtohet aty ku është gati projekti e ku janë investuar deri tani rreth 3 milionë euro, në Drenas.
I pari i LDK-së tha se investimi 60 milionësh do t’i japë Kosovës arenën më moderne në histori.
“Në këtë tempull e arenë futbolli, ëndrrat e sportistëve të rinj, ambasadorëve të ardhshëm të vendit do të prekin realitetin e destinuar kaherë. Dhe aty, Kosova, atdheu ynë, do të lartnohet në secilën sfidë, siç i ka hije, siç e kemi ëndërruar gjithnjë!”, u shpreh Abdixhiku.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Një ndër projektet e prezantuara dje, në takimin me biznese e investitorë potencial, është edhe Stadiumi i ri Kombëtar i Kosovës. Stadiumi i ri do të ndërtohet në Bërnicë, në Prishtinë; dhe do të ketë kapacitet prej 25-30 mijë ulëseve.
Ky investim, prej 60 milionë eurove, do t’i jep Kosovës arenën më moderne në histori!
Në këtë tempull e arenë futbolli, ëndrrat e sportistëve të rinj, ambasadorëve të ardhshëm të vendit do të prekin realitetin e destinuar kaherë. Dhe aty, Kosova, atdheu ynë, do të lartnohet në secilën sfidë, siç i ka hije, siç e kemi ëndërruar gjithnjë!
Bëhu ndryshimi!
Koha për një politikë që fjalët e thata i zëvendëson me investime që na bëjnë vet të ardhmen tonë!