OVL së UÇK-së në Drenas dënon fuqishëm fushatën e arrestimeve ndaj luftëtarëve të lirisë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega Drenas, Enver Hajdari, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si një fushatë të padrejtë arrestimesh dhe njollosjes së luftëtarëve të lirisë së Kosovës.

“Me indinjatë të thellë, dënojmë fuqishëm fushatën e arrestimeve dhe gjahun e padrejtë ndaj njerëzve tanë, duke përfshirë ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e tij.

Sipas Hajdarit, këto veprime janë një plagë e re për sakrificën kolektive të popullit të Kosovës, ndërsa gjykata që po ndërmerr këto masa cilësohet si “raciste dhe e njëanshme.”

“Kjo përpjekje poshtëruese nuk synon drejtësi, por njollosjen e luftës sonë të drejtë për liri dhe dinjitet. Sakrifica e popullit tonë dhe gjaku i dëshmorëve nuk do të tjetërsohen nga padrejtësitë e askujt”, ka theksuar ai.

Në fund të reagimit, OVL e UÇK-së shpreh përkushtimin për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare dhe të drejtën për liri: “Nderim për luftën e UÇK-së! Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!”

Ky reagim pasqyron shqetësimin e thellë të veteranëve për zhvillimet e fundit dhe mbështetjen e tyre të palëkundur për trashëgiminë e UÇK-së.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë