Patriot Krasniqi (PDK): “Kosova mundet ma mirë” me mbështetjen e mërgatës
Patriot Krasniqi, kandidati për deputet i PDK-së nga diaspora, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm drejt qytetarëve të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes vendit dhe mërgatës për të krijuar një të ardhme më të mirë, transmeton portali DrenicaOnline.
Në deklaratën e tij, Krasniqi sqaroi se sllogani “Kosova mundet ma mirë” nuk është drejtuar kundër qeverisë aktuale apo ndonjë subjekti politik, por ndaj gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë ata në mërgatë, të cilët mund të jenë të zhgënjyer nga zgjedhjet e tyre të kaluara. Ai theksoi se është e rëndësishme të shmanget kritika ndaj qytetarëve që mbështetën keqeverisjen e viteve të fundit, duke i ftuar ata të jenë pjesë e ndryshimit.
“Qytetarit që gaboi katër vite më parë nuk i lëndojmë me sllogane e llogari për të kaluarën. Përkundrazi, ne e ftojmë të na bashkohet për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë,” tha Krasniqi.
Ai gjithashtu kritikoi qasjen revolucionare të “prerjeve politike” dhe theksoi se PDK-ja qëndron për një qasje të qëndrueshme dhe koherente, duke promovuar vazhdimësinë dhe zhvillimin gradual. “Nuk ecet përpara me logjikën e fillimit nga e para. Vetëdija për koherencë politike i shërben demokracisë dhe progresit,” shtoi ai.
Mesazhi i tij ishte një thirrje për mërgatën dhe qytetarët brenda vendit që të angazhohen aktivisht dhe të kontribuojnë për një Kosovë më të zhvilluar dhe të drejtë./DrenicaOnline/