Lladrovci: Llausha është vend i daljes publike i më të çmuarës që dha kombi pas Skënderbeut, UÇK-në
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me familjarë të dëshmorëve, me qytetarë të shumtë dhe udhëheqës qëndror e lokal, mori pjesë në përurimin e Memorialit në Llaushë.
“Llausha në gjeografinë historike mbeti simbol i krenarisë së kombit, daljes publike i më të çmuarës që dha kombi si forcë ushtarake pas Skënderbeut, UÇK-në”, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i tij në fb:
Beteja e Rezallës së Re, ishte ballafaqimi i parë frontal i pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat policore serbe, më 25.11.1997.
Para kësaj beteje, forcat serbe kishin hasur në rezistencën e njërit prej komandantëve të parë të UÇK-së, Abedin Rexhës, Sandokanit.
Beteja e Rezallës së Re i hapi rrugën mbështetjes dhe masivizimit të UÇK-së. Forcat serbe nuk mund të imagjinonin se thehen keq, në një ballafaqim me UÇK-në dhe kërkonin hakmarrje duke ushtruar terror ndaj civilëve, me ç’rast vritet mësuesi Halit Geci.
Mësuesi Halit Geci, u vra në Llaushë dhe u varros më 28.11.1997. Varrimi ishte masiv ku merrnin pjesë qytetarët e Drenicës dhe krejt Kosovës. Këtu, për herë të parë është dëgjuat thirrja nga zemra e tërë popullit UÇK, UÇK, UÇK!
Dhimbja e madhe për mësuesin, u kthye në energji çlirimtare, aty, për herë të parë, populli i pa dalëzotësit e vet, pas betejës së 25 e 26 Nëntorit në Rezallë të Re.
Ata ishin vetëm tre ushtarë të uniformuar, Muja, Dauti dhe Rexha i cili foli në emër të UÇK-së, duke dhënë zotimin për çlirimin e vendit. Tashmë ishte dhënë kushtrimi se kishte filluar fundi i okupimit serb.
Memoriali që sot u zbulua, kushtuar daljes së parë publike të UÇK-së, është kujtesë me vlerë për kombin tonë, këtu në vatrën e rezistencës dhe trimërisë, në Drenicën e cila me gjenerata dha gjithçka për liri, për tu kurorëzuar me heroizmin epik të Jasharajve dhe Komandantit legjendar Adem Jasharit.
Llausha në gjeografinë historike mbeti simbol i krenarisë së kombit, daljes publike i më të çmuarës që dha kombi si forcë ushtarake pas Skënderbeut, UÇK-në.
Lavdi e përjetshme për dëshmorët dhe martirët e kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
https://www.facebook.com/share/p/15JiGW1jV3/?mibextid=WC7FNe