Kush janë dy grupet nga Fushtica dhe Sankoci që i qëruan hesapet duke u rrahur fort mes veti afër Komoranit
Dy grupe të të rinjve janë përfshirë në një përleshje që eskaloi të hënën në mbrëmje te një pompë e derivateve , afër Komoranit. Pas një mosmarrëveshje, të dyshuarit janë rrahur mes vete, e madje është përdorur edhe thika. Të dyshuarit kanë përfunduar në prangat e Policisë dhe tashmë kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Incidenti ka ndodhur te pompa ‘Menari’ në fshatin Resinoc, ku të dyshuarit, nga dy fshatra të Drenasit u takuan për t’i qëruar hesapet e një konflikti që nisi në rrjete sociale.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit për këtë rast janë A.Ramadani, A.R., E. Hadja, E.Bajrami, E.Hadja, D.B., dhe H.D.
A.Ramadani dhe i dyshuari i mitur A.R., janë nga fshati Fushticë e Epërme, ndërsa grupi tjetër nga fshati Sankoc, janë përleshur mes vete dhe për pasojë dy prej tyre kanë përfunduar në QKUK.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se dy të dyshuarit e parë kanë përdorur thikë gjatë rrahjes, duke iu shkaktuar lëndime trupore dy të dyshuarve të tjerë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari i mitur A.R., është ndaluar për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Po ashtu, edhe A.Ramadani është dërguar në mbajtje për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.