Aurora Berisha, kandidate e mundshme për deputete nga PDK
Aurora Berisha, e lindur më 3 janar 1992 në Prishtinë, pritet të jetë një nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputete në zgjedhjet e ardhshme. Me një karrierë të pasur në menaxhim, financa dhe kontabilitet, ajo ka një profil të spikatur profesional dhe politik, transmwton portali DrenicaOnline.
E diplomuar në Menaxhim dhe Teknologji në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina,” Aurora ka përfunduar studimet master në të njëjtin drejtim në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT). Ajo është Auditor i Brendshëm i Çertifikuar (CIA) dhe ka tituj të tjerë të rëndësishëm në fushën financiare.
Aktualisht, ajo ushtron detyrën e Drejtoreshës Ekzekutive në ndërmarrjen publike komunale Stacioni i Autobusëve në Drenas dhe është Auditore e Brendshme në Koscode Sh.P.K. Gjithashtu, Aurora kontribuon si konsulente në organizatën AWO, ku ndihmon klientët në planifikim financiar dhe zhvillim biznesi.
Karriera e saj përfshin pozita si Drejtoreshë e Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Gllogocit, Zyrtare për Marketing dhe Komunikim në Solaborate LLC, dhe Analiste e Raportimit të të Dhënave në TEB Sh.A. Përvoja e saj shumëdimensionale në sektorët publik dhe privat e bën atë një figurë të spikatur brenda PDK-së, ku aktualisht mban pozitën e nënkryetares për degën në Drenas.
Me këtë profil, Aurora Berisha përfaqëson një kombinim të profesionalizmit dhe përkushtimit politik, duke qenë një zë premtues në skenën politike të Kosovës./DrenicaOnline/