Jakup Nura: Akademia Solemne për 30-vjetorin e UÇK-së po devijon të vërtetën historike
Ish-bashkëluftëtari i Adem Jasharit dhe një prej figurave kryesore të UÇK-së, Jakup Nura, ka reaguar ashpër lidhur me organizimin e Akademisë Solemne për 30-vjetorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nura thekson se një ngjarje kaq e rëndësishme duhet të shënohet me përgatitje serioze nga institucionet historike dhe shkencore. Ai ka hedhur poshtë përpjekjet për të shtrembëruar të vërtetën e krijimit të UÇK-së, duke kujtuar se themelimi i saj erdhi si rezultat i bashkimit të ushtarëve dhe aksioneve konkrete të para, dhe jo nga një strukturë e miratuar në nivele të larta politike, transmeton DrenicaOnline.
Duke sjellë dëshmi nga vitet 1990, Nura rikujton aksionet e para të organizuara në Drenas dhe përpjekjet për të siguruar mbështetje logjistike nga LPK-ja, të cilat shpesh hasën në pengesa. Ai veçoi disa aksione të suksesshme, përfshirë atë mbi hekurudhën në Drenas, duke vënë theksin te sakrificat dhe përkushtimi i luftëtarëve të asaj kohe.
Në përfundim, Nura paralajmëron se përpjekjet për të manipuluar historinë e UÇK-së janë të padrejta dhe të dëmshme për sakrificat e atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. “Historinë nuk mund ta shkruajnë ata që e shtrembërojnë apo e mohojnë,” theksoi ai.